Me date13.04.2022, drejtori I INQF Vardar Film – Shkup, z. Sani Saidi, i shoqëruar nga një pjesë e ekipit të tij, me ftesë të Fondacionit Lumbardhi, udhëtoi për në Prizren, R. e Kosovës, ku u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes dy institucioneve, me të cilin do të thellohet bashkëpunimi në plan ndërkombëtar.
Fondacioni Lumbardhi dhe INQF Vardar Film – Shkup janë të përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit në plan afatgjatë në zhvillimin e programeve të filmit, edukimit në histori të filmit, programeve për shkëmbim të përvojave mes dy institucioneve, si dhe ngritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimit rajonal të institucioneve të filmit dhe trashëgimisë kinematografike.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të shfaqen dy filmat e pare, Etja (1971) dhe Pjesa Maqedonase e Ferrit (1971) në produksion të Vardar Film-it, përbrenda programit të filmit “LXX”, në vazhdën e aktiviteteve të planifikuara për manifestimin e 70 vjetorit të hapjes së Kinemasë Lumbardhi.
E kaluara e famshme e të dy institucioneve në botën e kinematografisë do të jetë shtytësi për projekte të përbashkëta në fushën e filmit të cilat premtojnë një të ardhme të ndritur me shumë suksese !
Lumbardhi është ish-kinema, hapësirë qytetare dhe institucion i pavarur kulturor me seli në Prizren, Kosovë. Ndërsa, Fondacioni Lumbardhi është një organizatë joqeveritare e themeluar në prill të vitit 2015 si rrjedhojë e Nismës për Mbrojtjen e Kinemasë Lumbardhi.